Të bëhesh nënë është mrekulli, gjyshe është hyjnore
Vitore Stefa-Leka
Të bëhesh nënë është një nga mrekullitë që ka krijuar i madhi Zot, si dhe një nga ndjesitë më të çuditshme që provon femra në këtë ndryshim fizik, ku bashkë me lindjen e fëmijës lindin dhe ndjesitë e tjera, si: dhimbsuria dhe sentimentalizmi apo ndjeshmëria, e cila bëhet edhe më e theksuar. Shikon para syve të tu sesi rritet e zhvillohet ajo pjesë e mishit të trupit tënd, që ti i dhe jetë dhe gjatë kësaj kohe lindin dhe instikte të tjera tek ti. Unë këtë ndjesi e kam provuar tek të katër fëmijët e mi, d.m.th. të qenurit ”nënë” do të thotë që ke gjithë mirësitë e botës! Fëmijët janë vërtet “lulet e jetës”, që ta zbukurojnë dhe ta plotësojnë atë, në çfarëdo rrethana që të ndodhesh apo të jetosh.
Të bëhesh gjyshe, vetëm ai që e ka provuar këtë pozicion mund të më kuptojë se çfarë kam ndjerë unë, kur u bëra e tillë.
Me nipin e parë, që më bëri gjyshe në një moshë të re, ku akoma nuk kisha mbushur 38 vjeç, si dhe me mbesën, që sot është 14 vjeç, nuk ia ndjeja ”lezetin” shprehjes “nipërit janë mjaltë prej mjalti”, ndoshta ngaqë isha dhe vetë e re dhe më vinte sa për të qeshur si dhe habi, kur nipi im, pas dy vjetëve, do të më thërriste gjyshe, kur unë do isha ende pa mbushur të 40-tat.
Sot, të dy këta, nipërit e parë, janë të rritur dhe ashtu si me fëmijët e mi edhe me këta të dy janë krijuar “raporte shoqërore”.
Pas tetë vjetësh erdhi në bote motra e Ingridit dhe dy ditë më vonë, lajmëroi ardhjen e saj Arneta, vajza e djalit, i cili është si ne, emigrant në Francë. Gëzimin e lindjeve të para e kemi shijuar bashkërisht të gjithë familjarët, pasi jemi të gjithë afër me njeri-tjetrin këtu në emigracion. Këtë gëzim e ka ndjerë e shijuar dhe ”statuja e halleve “, nëna ime e dashur dhe e respektuar, duke e parë veten e saj në rolin e stërgjyshes.
Lindja e vajzës së djalit, me të cilin na ndajnë km e km distancë, veç gëzimit të madh, u shoqërua dhe me dhimbjen e largësisë që na ndan. Nuk më ikej nga vogëlushja. Ngushëllova veten, kur mendova se pas dy muajsh do shiheshim këtu, në bregdetin Adriatik të Triestes, ku ata do vinin për pushime.
Një tjetër kënaqësi e madhe kur shihja familjen time, aq të zgjeruar më femijët, nipin dhe mbesat, që po rriten njëra me yll se tjetra e me të gjitha të mirat, që në fëmijërinë time, apo dhe të fëmijëve të mi, as që mund të ëndërroheshin.
Ishte një kënaqësi e paprovuar, kur shihja veten të rrethuar nga këta nipër.
Me djalin tim MIKI
Fëmijët e mi i kam mësuar e rritur me kushte të vështira, por në mes ajrit të pastër të natyrës. Më kujtohet një teze e babait që e kishim në vend të gjyshes, që më thoshte: “Moj, po do të plevitosen, mbështilli mirë se i ke lakuriq!” Ndërsa tani, po bëj unë rolin e tezes, duke u thënë nuseve, që dhe me to kam marrëdhënie shoqërore dhe i kam të mrekullueshme, që “vishini mirë, kujdes se po fryn” etj. etj., që shpesh dhe në telefon me çiftin që janë larg, fillojnë ngacmimet e të qeshurat me këtë “frikën” e kujdesin tim, që s’e kam pasur më fëmijët e mi.
Gëzimi tjetër i papritur ishte dhe është se para një muaji e ca na erdhi dhuratë nga Zoti edhe nipi tjetër Kevin. Për këtë unë u ndjeva njeriu më i lumtur në botë!
Ime bijë, për t’i qëndruar afër të kunatës, e cila dhe ajo është larg, shumë larg nga nëna dhe njerëzit e saj të dashur nga Kosova dhe Gjakova e bukur, vajti shume përpara lindjes dhe qëlloi aty kur i “përshëndeti” me ardhjen e tij në këtë botë nipçja.
U nisa disa ditë më vonë, me mendje të qetë, duke menduar, se është Madi, për çdo ndihmë pranë tyre.
17 vjet larg Shqipërisë
Udhëtimet më pëlqejnë shumë dhe në këto 17 vjet larg Shqipërisë e kam shëtitur Evropën, Ballkanin dhe një pjesë të Azisë, po nga gjithë vendet, ku secili ka bukurinë dhe historinë e tij, mua më pëlqen, Spanja, Greqia,Turqia, Egjipti dhe Maroku. Dikush do të thotë ç’shije e çuditshme, por faktikisht është kështu! Kjo ndodh ndoshta ngaqë kam lexuar më shumë për to apo ngaqë kanë shumë gjëra të përbashkëta me mentalitetin tonë.
Gjatë rrugës për në Venecia, ku do merrja aeroplanin për në Lyon dhe që aty në Rennes, nuk po më hiqej nga mendja një tip barsolete apo filozofi e dikujt, që ne, kur ishim në vitin e parë në shkollën pedagogjike e komentonim shpesh me njeri-tjetrin. Që nga ajo kohë kane kaluar shumë vite e shumë ujëra kanë rrjedhur, si dhe dallgët e jetës kanë qenë të pamëshirshme për mua. Kisha harruar shumë e shumë gjëra të tjera, e jo të më kujtohej kjo që po më ndiqte e s’po më ndahej gjithë rrugës për në aeroport.
I bëra pyetje tim biri, se kështu më dukej që mund të më largohej nga mendja dhe i thashë: “Kur të pëlqen të jetosh jetën, në rini apo në pleqëri?”
Fillimisht me tha: “Çfarë pyetje është kjo?” Po meqë unë këmbëngula në pyetjen time, më tha: “Qejfi në fakt bëhet në rini, por kur të mungojnë kushtet që të bësh gjithmonë qejf, më mirë do thosha në pleqëri”. Qesha me zë, se në rininë time të hershme, kur isha 14 apo 15 vjeç, të gjithë shokët e klasës, bashkë me mua, kur na u bë kjo pyetje preferuam të jetojmë e shijojmë rininë dhe, kur një shok pak më i madh, që na bënte pyetjen na tregoi arsyen, atëherë e kuptuam se ku ishte fjala.
Pra:
”Një herë Zoti pyeti dy njerëz, se kur kishin dëshirë ta shijonin jetën. I pari tha në rini dhe i dyti tha në pleqëri.
I pari e kaloi rininë nëpër qejfe e “ku rënça mos u vrafsha” në kurriz të prindërve apo të tjerëve, kurse i dyti punonte, krijoi familje, bleu shtëpi dhe u sistemua si më mirë. Kështu që, në pleqëri, kur nuk kishte mundësi e fuqi të punonte më, po shijonte ato që mbolli në rini dhe vdiq si zotëri i nderuar nga të gjithë. I pari, kur hyri në fazën e pleqërisë i filluan vuajtjet dhe s ‘kishte njeri afër vetes. Në mes vuajtjeve të sëmundjes, që e kapi, vdiq vetëm”...
Në gjithë këtë, e vetmja gjë e ngjashme me jetën time është se, mua më takoi të mos shijoj as fëmijërinë e as rininë... jo për mos dëshirë, po e privuar, e dënuar nga regjimi. E tani, në prag të pleqërisë, jam e rrethuar me një mijë ditë të bardha. Faleminderit Zotit të madh, shëndetit tim, dashurisë që më japin fëmijët e mi të mrekullueshëm, të cilët janë rregulluar e sistemuar të gjithë, me ëndrrat e tyre të realizuara, nëpër shtëpitë e tyre personale si dhe kënaqësisë që na japin në si prindër. Duke ma mbushur shtëpinë plot nipërit dhe mbesat kështu, prehri im është gjithmonë i ngrohtë prej tyre. Nuk e kisha menduar kurrë, as unë e as im shoq, se do vinte një ditë këtillë dhe ne do të ishim të rrethuar vetëm nga dashuria dhe mirësia, jo vetëm e familjarëve tanë, por edhe nga miqtë e shumtë, që na rrethojnë.
Në Lyon m’u desh të pres një orë dhe kohën e shfrytëzova nëpër dyqanet e shumtë që janë brenda në aeroport si dhe te kolltuqet masazher që ishin në sallën e pritjes. Me dy euro, u ndjeva aq e relaksuar. Fluturimi për në Rennes është një tjetër kënaqësi e veçantë, pasi aeroplani kalon vetëm në lartësi të ulëta, ku ti ke mundësi të shohësh qytetet, që të shpalosen para syve, lumenjtë apo liqenet si dhe ato shtëpi aq të bukura, si shtëpi kukullash të gjitha me pishina. Për një orë e dhjetë minuta, të shpaloset para syve e gjithë bukuria që ka ndërtuar dora e njeriut mes ngjyrave të ndryshme ku dominon jeshilja dhe poshtë të duket sikur është shtruar një tapet shumëngjyrësh. Aq tërheqëse janë këto pamje sa nuk ndjen kur arrin në destinacion. E njëjta gjë dhe kësaj here! Ja ku m’u shpalos Bretanja para syve!
Bretanja është rajoni më veri-perëndimor i Francës. Ky rajon shpesh quhet edhe rajoni më arkaik e misterioz i Francës. Ka qënë kjo arsyeja, që kohë më parë, atje ku mbaronte kufiri i Normandisë thuhej se atje mbaronte dhe Franca. Kjo vjen se në Bretanjë, sipas legjendave, protagonistët kryesorë janë Morgana, mbreti Artur e Lanciloto, sepse në Bretanjë, ende mbahet gjallë misteri megalitik i kalorësve të “egër” të Shën Gralit. Thuhet se gjuha Bretone nuk ka asnjë lidhje me gjuhën franceze. Ajo rrjedh nga çeltët.
Bretanja është rajoni më i largët i Francës, nga pjesa e saj mesdhetare dhe Kote Dazyri i bukur i saj. Bretanjet thuhet se lindin me zemër të rrethuar nga uji i detit. Gogen shkruante: ”E dua Bretanjen, e dua karakterin e saj primitiv dhe të ashpër”.
Në këtë zonë, pritet me ceremoni si dhe festohet akoma kthimi i varkave nga peshkimi, por edhe shitja e peshkut të gjuajtur nga këto barka bëhet sipas traditës së vjetër shekullore. Bretanja është rajoni ku edhe peizazhet dallohen nga kontrastet e forta, që thuhet se janë bërë nxitje edhe për nivelin e lartë artistik të këtij rajoni, që dallohet në të gjithë Francën.
Kryeqendra apo kryeqytet i Bretanjës është Rennes.
Historia e këtij qyteti është shumë e vjetër. Thuhet se çeltët e kishin zgjedhur si të tillë ngaqë ndodhej në brigjet e lumenjve Ile dhe Vilene.
Me djalin tim Artanin dhe nusen (France Rennes)
Me pas, Rennes do të bëhej një qendër e rëndësishme e Galezëve dhe një qytet i pasur Roman. Francezët filluan të ndërtojnë fortifikime për t’u mbrojtur nga Bertonët. Në vitin 1491, po në Rennes u bë martesa midis Anës së Bretanjës dhe Karlit të VIII, datë kjo që do të shënonte dhe përgatitjen e aneksimit të edukatës së Rennes nga mbretëria e Francës. Kjo ndodhi pak më pas në vitin 1523.
Megjithatë, lidhjet e Rennes me Parisin nuk do të ishin kurrë të qeta, por turbolente dhe shpeshherë dhe me derdhje gjaku. Për t’u kujtuar si më i rëndi është konflikti i vitit 1675, konflikt që solli dhe transferimin e Parlamentit Breton, që ishte organi më i lartë përfaqësues i këtij rajoni, nga Rennes në Vannes.
Doja të dalloja St. Michel, këtë mrekulli që ka krijuar natyra, që në trë orë të ditës bëhet ishull dhe orët e tjera gadishull, edhe kjo pjesë e bukur turistike e Bretanjes ka historinë dhe legjendën brenda, ku së shpejti do t’i përshkruaj në një reportazh, jo vetëm për St. Michel, por dhe për St. Malo, një qytezë turistike, e ndërtuar brenda mureve të kështjellës që e rrethon gjithë qytezën, ku lëvrin jeta dimër e verë nga turistë, për të parë jo vetëm bukuritë natyrore që krijojnë ujërat e “la manche me baticat e zbaticat, po dhe akuariumin e madh, ku ka mbi 5 mijë lloje peshqish nga më të ndryshmit e të të gjitha madhësive plus gjurmët e mbrojtjes së qytezës, ku akoma janë topat e kthyera drejt Anglisë, që nga aty është shumë afër.
Aeroplani u ul në piste dhe unë u largova nga meditimet apo shëtitjet që i bëra këtyre vendeve të Bretanjes me sytë e mendjes.
Aty po më priste Madi, im bir dhe një vogëlushe engjëllushe, aq e bukur që u drejtua duke zgjatur krahët në drejtimin tim. Kjo ishte Arneta. O Zot, si rriten çupat! Mirë kanë thënë plakat, “sikur i tërheq njeri prej floku”. Mes përqafimeve, mallit bisedave, pyetjeve, arritëm në shterpi, ku dhe pse nata i kishte hedhur vellon e zezë gjithësisë, në shtëpi shkëlqente dielli dhe lumturia!
Kështu, mes miqve francezë të djalit, miq të ndryshëm shqiptarë që vinin për urim çdo nate, kaluan ditët e para.
Mua nuk po më rrihej pa dalë e vizituar qytetin, magazinat e mëdha, muzetë dhe kuriozitete të tjera, që ka për të parë Rennes-i, edhe pse sa herë kam shkuar i kam parë, vizituar ato dhe rrethinën e Rennesit. U gjenda në qendër të Rennesit ku ndodhet sheshi i bashkisë, i projektuar në vitin 700, si një zgjatje e sheshit Pale. Ja më tutje një hotel, ku është shkruar koha e ndërtimit tij, pra në vitin 1734-43, ja dhe teatri neoklasik, i ndërtuar në vitin 1832-36.
Thuhet se zjarri është armiku më i madh i qytetit të Rennes.
M’u kujtua në udhëtimin e parë kur vajta te djali, në shkurt të 1994 ra zjarri dhe pothuaj e dogji të gjithë pallatin e parlamentit të Bretanjes, i cili mrekullisht i kishte shpëtuar zjarrit në vitin 1720 (sot aty gjendet Godina e Drejtësisë).
Duke ecur e shikuar, u gjenda para Université de Droit. Meqë pashë studentë jashtë, si dhe një bar aty afër, u afrova nga dëshira se mos gjeja ndonjë student shqiptar dhe ashtu ndodhi vërtetë. Në një rreth me vajza e djem dallohej një zeshkane, e gjatë, me një trup shumë të rregullt, veshur me shumë gusto si dhe me një fytyrë me bukurinë e Ikonave, me sy ekspresive që tregonin sa inteligjencë dhe zgjuarsi. I përshëndeta dhe ju drejtova shqip vajzës që m’i kishte ngulur sytë: - Ti, patjetër duhet të jesh nga vendi shqiponjave. I kaloi një e skuqur e lehte, që e bëri akoma më të bukur dhe tha:
- Nga më njihni? Kush jeni ju?
- Dalloje nga të gjitha dhe nuk u gënjeva në hamendjen time. Studente je?
- Po, në vitin e tretë, studioj drejtësi.
- Ka edhe shqiptarë të tjerë?
- Rennes ka shumë universitete dhe madje e quajnë qyteti i studentëve, se studiojnë mbi 40 mijë të ardhur nga Bretanja apo dhe nga vende të tjera. Ka dhe shqiptarë që studiojnë në fakultete të ndryshme. Në kursin tim jam e vetme, po në kurse të tjera kam shoqe dhe shokë të tjerë. Ne jemi rritur këtu, këtu vazhduam të mesmen, po ashtu edhe të lartën. Tani fliste me një shqipe të kulluar, pa asnjë lloj theksi francez, apo si kam ndeshur në raste të tjera, kur fëmijët e rritur këtej, kanë kaq vështirësi në të folurën e gjuhës së nënës, duke u dhënë thekse të ndryshme, sipas vendit.
U bëmë mikesha përnjëherë me Gersidën. Më shoqëroi brenda fakultetit, më prezantoi dhe dy vajza të tjera shqiptare Enkin dhe Arjolën, që me krenari edhe ato më thanë se janë shqiptare. Njëra nga Kavaja dhe tjetra nga Fieri, por që kishin vite në Francë. Gersida më tregoi se fillimisht ishin në Rennes, pastaj familja u shpërngul në Niçe, një vend përrallor në jug të Francës. Ajo do të mbaronte fakultetin këtu e pastaj mendja ishte për t’u kthyer atje, te “vendi shqiponjave”. Kur më fliste për Shqipërinë, ndjeja mallin dhe një dridhje në zërin e saj.
Kam gjyshen dhe shkoj çdo vit atje, çdo vit shoh ndryshime në Tiranën time, por ndryshimin më të madh dhe demokracinë e vërtetë do ta sjellim ne, sapo të diplomohemi këtej, ku ndodhemi.
Gjatë kësaj kohe, na ishte afruar dhe një djalë shumë simpatik, serioz dhe me një edukatë të dukshme. - Jam Ledian Shala me origjinë nga Shkodra, - u prezantua me mua.. Jam në Universitè d’economie. Ndërkohë, ata më prezantuan dhe me profesorët e vetë, mr. Dupont, mr. Bussart dhe mr. Matia. Ata folën aq mirë dhe me shumë konsideratë për studentët albanezë në përgjithësi, e sidomos për studenten e shkëlqyer Gersida Malushi.
Ajo që më bëri përshtypje nga ky takim me këta studentë ishte fakti se, të peste që takova, pa hezitim më folën për kthimin e tyre në atdhe, sapo të diplomoheshin. Ajo ditë më kaloi me këto mbresa, që më mbetën në mendje. Pata dhe takime të tjera në ditët në vazhdim dhe gjithnjë gjeja diçka të re te këta studentë, që u rritën këtej dhe kanë një vendosmëri që dijet e tyre ta japin në shërbim të një demokracie të vërtetë në atdheun e tyre.